Teoritë e ndryshme filozofike e gjuhësore rreth problemeve të antonimisë
Përsosmëria e mësimdhënies së gjuhëve të huaja diktohet nga ndryshimet rrënjësore të zhvillimit shoqëror, si edhe nga zhvillimi i fushave të tjera të veprimtarisë njerëzore. Këto zhvillime kanë ndikuar në përparimin e semantikës leksikore në përgjithësi dhe në thellimin dhe zgjerimin e studimeve për antoniminë në veçanti. Bazuar në tezat e Kantit rreth ligjeve të të menduarit, Paul Roubiczek ka shkruar gjerë e gjatë për realitetin objektiv dhe subjektiv[1], për vlerat, për rëndësinë e shprehjes së ndjenjave dhe të kufizimeve të shkencës dhe të filozofisë. Njeriu duhet të mendojë qartë dhe të përdorë mirë përvojat e tij, të cilat thonë më shumë sesa vetëm arsyeja. Gjuha është e vullnetshme dhe si e tillë është nën kontrollin tonë. Ne dimë pak se si fjalët paraqiten në mendjen tonë. Pikërisht, ky problem ka shqetësuar filozofë dhe gjuhëtarë si Kanti dhe Jesperseni. Ka shumë teori rreth kuptimit të fjalës. Disa i referohen kuptimit të fjalës si referencë, si formë llogjike, si kontekst dhe përdorim, si kulturë dhe si strukturë kuptimore. Të tjerë mendojnë se fjalët shprehin kuptime dhe se një kuptim mund të përfaqësohet nga përbërësit e një grupi sinonimik ose antonimik. Antonimia argumentohet si lidhja semantike tipike leksikore. Të gjithë pranojnë se ajo ekziston dhe se është e dukshme në të gjitha gjuhët natyrore. Antonimia është shprehje e kundërvënies ndërmjet koncepteve, aq sa është lidhje ndërmjet fjalëve me kuptim të kundërt. Duke qenë shembull kaq i mirë lidhjeje leksikore-semantike, antonimia ka qenë në qendër të shumë debateve nëse lidhjet semantike janë të vendosura, të ruajtura apo të prejardhura. Si të gjitha lidhjet e tjera leksiko-semantike si p.sh. sinonimia, polisemia apo hiponimia, edhe antonimia është trajtuar prej kohësh nga filozofët, psikologët, antropologët, gjuhëtarët, dhe leksikografët. Këto lidhje leksiko-semantike kanë një